Te birtë e shekullit të ri
Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë në “shêjtnin” e tij
e çuem grushtin për me luftue
ndër lufta të reja
dhe me fitue…
Na të birtë e shekullit të ri,
filizat e një toke së rimun me lot,
ku djersë e ballit u dikonte kot –
se dheu ynë qé kafshatë e huej
dhe në mârrzi duhej shum shtrejtë t’u paguhej…
Na të birtë e shekullit të ri,
vllazën të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çast’ i ynë i mbramë
edhe fatlumë
ditëm me thanë:
S’duem me humbë
në lojë të përgjaktë të historis njerzore,
jo! jo! s’i duem humbjet prore –
duem ngadhnim!
ngadhnim ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
S’duem, për hir
të kalbsinave të vjetra që kërkojnë “shêjtnim”,
të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,
kangën monotone, pa shpirt, të skllavnis –
të jem’ një thumb i ngulun ndër trûtë e njerzis.
Na të birtë e shekullit të ri,
me hovin t’onë e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë
dhe për fitore kem’ me ra flî.
Të lindet njeriu
Të lindet një njeri
nga gjin’ i dheut tonë të rim me lot të vakët,
nga thalb’ i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët
për një gen të ri.
Të lindet një njeri!
Pa hyll në ball – por që me fjalë të pushton,
që të rrëmben qetsin e ban gjaku të të vlojë
rrkajë, e ban synin ligshtin ta zhgjetojë,
që nëpër shekuj ndërgjegjen na tradhton.
Të dali një njeri!
Të mkambi një Kohë të Re!
Të krijojë një Epope!
Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re…
– Të gjithë kombet po dehen n’epopea të veta,
flakë e zjarrmit të tyne na i përzhiti ftyrat
dhe nëpër to një nga një po shtohen rrudhat,
e nën kambë e mbi krye tinzë po na ik jeta.
(Liri! – Po, liri dhe gaforrja gëzon,
por gaforre asht…
Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon,
jo, liri nuk asht!),
Të lindet një njeri
i madh si madhni
dhe ndërgjegjet tona t’i ndezi në dashni
për një ide të re, ideal bujar,
për një agim të lum e të drejtë kombtar.
Zgjimi
O vullnete të ndrydhuna ndër grushta të çelikta të shekujve të kaluem!
O vullnete të shtypuna me themra të ngurta të titajve të tërbuem!
Të cilët n’udhë për në theqafje këtejpari i ranë
dhe vatrat tona në mjerim i përlanë…
O vullnete të ndrydhuna!
O vullnete të shtypuna!
Shkundni prangat të mbrapshta! E me brimë ngadhnyese,
me hove viganash, dëshirash flatruese,
turniu në të gjitha anët dhe poshtë në dhë zbritni
– ndosht’ aty keni për të gjetë fillin e një hymni,
që Illyri e vjetër ndër kremtime këndonte,
ndërsa zemra e kombit në liri kumbonte.
O vullnete të ndrydhuna!
O vullnete të shtypuna!
Tash shëgjetat e flakta të shprehjes suej zharitse
drejtoni kah qiella në ball të hyut a të dreqit,
i cili fatin tonë mbytte në mnijë të vet përpise –
a dijë se të Birt’ e Shqipes folen ia ngrehën vetvetit.
Shkëndija
Nga zjarrmi i votrës u shkëput një shkëndi
dhe nëpër oxhak, u versul në liri,
nëpër mes t’errsinës
muer udhën e qiellës
dhe në mes hyjve të natës
zu vendin e Hanës.
Ndrit shkëndi e gjallë në qiell plot me hyjë,
ndrit shpirti i ri, lidhë me t’arta nyje
nyjet e dashnis,
dashni e fëminis
për të mjeruemët në botë
që vuejnë, derdhin lotë.
Sa bukur shkëndija xhixhillon n’errsinë,
vallzon bashkë me hyjë dhe andrron lumninë…
e poshtë votra fiket,
pranë saj zemra liget,
zemra e një plaku,
i cili del te praku
dh’e ngreh shkopin në hyjë shkëndin për me gjetë,
rebelin, që votrën e shtëpisë e la të shkretë…
O ti fëmi i ri!
E zjarrta shkëndi!
Pse votrën e le?
Më thuaj, pse? Pse?
E shkëndija, hyjet, të tanë qiella arbnore
në nett e argjenta, të reja – posi hark kunore
zbret mbi shtëpia tona…
e na gzohna, gzohna…
dhe puthim agimin…
qashtu rrfejmë gëzimin.
Kanga e rinis
Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand, të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.
Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi!
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili
e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.
Kangët e pakëndueme
Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme
të cilat ende vuejtja as gëzimi s’i nxori,
të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme
me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori.
Thelltë në veten teme kangët e mia jesin…
e unë jam vullkani që fle i fashitun,
por kur t’i vijë dita të gjitha ka me i qitun
në një mijë ngjyra të bukra që nuk vdesin.
Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?
Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?
Jo! Jo! Se liria filloi me lulzue
dhe e ndjej nga Dielli valën.
O kangët që fleni reliktet e mia
q’ende s’keni prekun as një zemër të huej,
vetëm unë me ju po kënaqem si fëmia
unë djepi juej; ndoshta vorr’ i juej.