Ekstaza pranverore
… dhe pranvera erdhi…
Nepër ftyra tona rrëshqiti një gëzim
dhe ndër zemra tona ngrehi një folé
e një jetë e bukur, e një jetë e ré
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.
… dhe dallndysha erdhi…
si shpirti n’ekstazë, në hovin e shejt shtri,
me qiellën rroket, me diellin puthet,
dridhen krahët në hare – mandej poshtë versulet
tu’ dhurue në cicrim përshndetje njëmijë.
… triumfon bylbyli…
kangëtar plot magji në gemb të trandafiles,
në një tempo të marrë përkdheljet po shfre
e kanga kumbuese, kang’ e tij pa fre,
asht si kangë Orfeji ndër telat e lyres.
… dhe vesa shkëlqen…
në një pikë t’argjent’ pasqyrohet jeta
tërheqse si andra dhe si vijzatimi
ndër orët e hyjzimit, kur shpërthen agimi
e rrezet e arta rrëshqasin ndër fleta.
… dhe pranvera erdhi…
Nepër ftyra tona rrëshqiti një gëzim
dhe ndër zemra tona ngrehi një folé
e një jetë e bukur, e një jetë e ré
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.
Dy buzë
Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fiken,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta…
Dy buzë të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur m’u njitën –
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trunin ma helmuen
e në fund u mërguen…
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një grueje stërzane
një pjesë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne…
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lote të mija
qenë shenjat e dhimbjes
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.
Sonet pranveruer
Me kangë në buzë e hove të reja
u zgjue agimi pranveruer,
largsinat e hjedhta ka zatetë hareja,
n’argjent shkelqejnë brigjet tërthuer.
Me kangë në buzë u zgjue agimi
dhe ja këndoj kangën diellit t’art
rrezash purpure dhe jetëdhurimi
me kaltrinat e thellta në qiellë të kjartë.
Me manushaqe në buzë e me andje në zemra
vajzat si biluri ndër kopshtije të gjelbra
dihasin aromat, që lulzimi derdhi,
me gji të paprekuna, ku dashnia sosë
me fletza trandafilesh që flladi sjelli
dhe adhrojnë pranverën më një apoteozë.
Z. B.
Buzmramja u dridhte ndër afshet e mbramë
të diellit përndimuer
me kuqlim e tisa purpuer,
me kaltrina të kullueta në qiellë e në sy tand…
ku në fund u pasqyronte një dashni e lume
si vegimet e fatbardhsis në lima,
mbi të cilin tërthuer fluturon një pëllumb
dhe gëzime të pamatna gugon pa pra.
Zojushë, q’at buzmramje
unë andrroj me andje
dhe me një dashni të pastër
ata dy sy tuej të kaltër,
që m’u falne letë
me një shikim diskret.
Ndeshja
O grue, që te ndesha në dit’n e fatkobit tem,
kur prirja njellte e syt’ shikojshin zi
e ndjejshe veten se dhe unë jam fli
të një ndjesí
si ti.
O grue, q’u ndeshme në dit’n e fatkobit tonë
zemër për zemër edhe ball’ për ball’
e ndjesitë n’u shprehen me mall
më një vall’:
sa hall…
Dhe kështu në rrugë të madhe e shitme zemrën tonë,
njerzve që vetëm një të përqeshun dhanë për tê
e shkuen të kënaqun e tu’ u gëzue – pse
panë mfshehsinat intime të kësaj jetesës sonë.
E na, dhe një dhimbë të sinqertë tue ndijë,
vuejshim me zemër të ndrydhun si dy fëmijë
të humbun ndër vise të hueja naten, vonë,
o grue, q’u ndeshme në dit’n e fatkobit tonë.
Një natë
Grue a hyjneshë, e mbështjellun n’errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mia
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të ma përpijë,
vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
— jo — jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës
Grue a hyjneshë m’erdhi nga gjin’ i errsinës…
Që! frymën ia ndjej dhe zemrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saj,
Syt e zez e të mdhaj
me harmoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marrveshtjes).
Dhe njëmend! At natë vallzuen ndjesit e jona
më një valle dëfryese, pa marrun frymë…
Lutje
Të lutem, o perëndi,
për një simfoni
me tinguj t’argjantë
e akorde t’artë.
Të lutem, o perëndi,
për një simfoni –
plot dashuni
të nxehtë si tu vasha gjitë
kur vlojnë ndijesitë.
Të lutem, o perëndi
për një simfoni
të dëfrej në lumni
t’u u përkundë n’ani
të bukur t’andrrimeve
të kaltër, ku të fantazmeve
buzët më tërheqin zjarrtë
e më digjen syt e flaktë.
Të lutem, o perëndi,
për një simfoni –
e kurr, e kurr ma mos të zgjohemi.
Mbas tryezës
Një grupit
Kështu ne të rinjve na kalon nata:
Pranë tryezës meremer-falso, me gotë të plotë a boshe,
me kujdes të madh ndejun (si e lyp dans-edukata),
të ngrehun, të ngrimë, të stolisun
e ftyrash të qindisun
me pudër, karmin… jo? – por me përshtypje të mirë
që na e sjell zojusha e bukur dhe me hir
tu’ na buzqeshë ambël, buzësh të kuqe si gjaku,
nsa gjit’ i majen, dridhen – ftyra kuqet, zbehet…
e në secilin prej nesh në fund ka një shpresë këndedhet
dhe na shtrëngon laku…
— Qashtu ndejë, tu’ e vrejtun, çojmë biseda të ndryshme
serioze, t’urta, por ma shpesh të dyshueshme,
me gjuhë të bukur, të zgjedhun, mbi ngjarje të ra flasim
e prej një dëshirës pa mshirë të gjithë pëlsasim.
Ngushllim! – se zonjusha na i din mirë hallet,
prandej aq me andje, bukur, kërcen vallet.
Jonet muzikore derdhen, rrkaj derdhen,
lëmojnë ata që në valle sjellen, në hare sjellen,
lëmojnë tryezën, gotat, veshjet tona, ndjenjat
e fantazis sonë, i hapen ylber-velat…
Por befas, të njëjones së panjoftun tingllimi,
së cilës asht te hyu i bukuris trillimi,
krahnorët n’i përkdheli dhe n’i piskoi zemrat,
gjatë korrizit të thennët zbresin fill te themr;
— Qashtu vuejmë, dëfrejmë…
Jetën adhurojmë,
nsa drita shkëlqejnë
zojushën shikojmë
dhe n’andrrim vallzojmë…
Rishtas, me plot dashje, vallet ndiqen, ndiqen
Vash e djalë përputhen
mbrend dy zemra digjen,
por me u puthë – nuk puthen!
Hidhet e përhidhet
Hidhet e përhidhet në shtregullën e fatit
djalosh’ i Arbënis.
Hidhet e përhidhet në përndim mbrapa malit
me hovin e rinis
zogu i liris!
Në shtregullën e fatit, ndër këto fluturime
ma shpejt i rreh zemra edhe merr drithtime
se qiellat e hueja premtojnë gëzime t’ambla
nepër shkalla të hueja, nën të ngjyrta llamba
premtojnë hyjnizimin në vallen e dëfrimit;
femën-mashkull rrokun si dy vetë që mbyten
kin për të mbramen herë qindenjë herë puthen
e mbrenda krahnorit gati të pëlsasë zemra,
nsa majet e këpucve shkarravisin germa
të tanë natën e lume deri në të lem t’agimit.
Për njenin ky gëzim, për tjetrin gëzim tjetër…
ndoshta vllime librash, atom ose kompas –
fund’ i fundit shkundet ai djalosh i vjetër
nga melankolia fillon të vuejë pa masë.
Dh’ atëherë nalmadhnia e tij mbret Dyshimi
futet në zemër, në tru, në jetën e të riut
mfshehtas fillon lojën tinzake, si krymbi
në thalbin e mollës… e syni i të riut
merr hijen e vendit, hijen e një murit
mbrapa të cilit rrahin zemrat e makinat
m’i krijue jetë të tjetër, njeriun e gurit…
… po, një ringjallje mbi të vjetra kalbsinat.
Syn’ i të riut muer hijen e atij murit.
Hidhet e përhidhet
zogu i liris,
por dhe bjen ku lidhet djalosh’ i Arbënis.
Malli rinuer
Valët muzikore fluturojnë nga përndimi
shkrepen e përtrihen
për muret e dhomës seme,
edhe mandej dridhen
mbrenda në zemrën teme
dhe zgjojnë ndijesina që mblue ka hini.
Ndijesitë e mia me valët muzikore
shkëmbejnë puthje të nxehta
posi dy dashnorë
e pa mshirë shëgjeta
më ther në krahnor
edhe më merr malli përjetë ma gazmore.
Malli rinuer përjetë ma shkumbuese
flen pa fat në mue,
një tingull përndimi
asht ngushllim për mue
kur më mshtjell mashtrimi
me melankolinë e vet aq trishtuese.
Tingujt miqëdashës, që në dhomën teme
më falin rytmin
e një dansit të largët,
më kujtojnë përqafimin
e çiftave të shkathët
që sjellen hirshëm nëpër drrasa të gëdhenme.