SommaireVargjet e lira
Kangët e mjerimit · 1 min de lecture

Parathanja e parathanjeve

Përditë përndojnë zotat
dhe rrëshqasin trajtat e tyne
mbi vjet dhe shekuj
dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri.
Vetvetes me gisht tamthat i ka biruemun
në shej të pendimit
dhe bërtet në kulm të hidhnimit:
çka, çka krijove?
— E njeriu nuk e di:
a âsht zoti pjella e tij
apo ai – vetë pjella e zotit
Por e shef se âsht kot i kotit
me mendue mbi një idhull
që nuk përgjegj.
Dhe tash s’po dihet mâ kush âsht zot e kush njeri.
Ka ardhë një kohë
në të cilën njerzit po kuptohen fare mirë
për me ndërtue Kullën e Babilonit, –
dhe në majë Kullës, në majë të majes së fronit
ka me hypë njeriu
dhe ka me thirrë:
Perëndi! Ku je?

Kangët e mjerimit · 3 min de lecture

Poema e mjerimit

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.
E mbi ta n’ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë. E mjerimi mirfilli ndien tradhti.

Mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin –
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.
Mjerimi s’ka fat. Por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

Mjerimi tërbohet n’dashuni epshore.
Nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
Dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

Mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt’ i keq
tu’ ndukë gjitë e shterruna t’zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
Foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s’e don, por vetëm mallkon.
Vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!

Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet;
don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet,
atij grusht që n’gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
Nji fryt kur s’piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n’bark t’dheut mbaron.

Mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
Shpërblim qesharak! Për qindenjë afsh
në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.

Mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s’ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

Mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim
– jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbë,
mund që t’len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz’ i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra.
Kështu nën kambët’ randë t’zotit t’egërsuem –
thotë prifti – vdes ai që çon jetë të dhunuem.
Dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.

Mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
Në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle.
E gota e turbull, gota satanike
tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni –
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
Të gjitha hallet skami n’gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
Mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.

Mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese që t’bajnë t’çmendesh,
që t’apin litarin të shkojsh fill’ e t’varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.

Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejt!
Mshirë? Bijë bastardhe e etënve dinakë,
t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsit një grosh të holl’ n’shplakë.

Mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.

Kangët e mjerimit · 1 min de lecture

Baladë qytetse

Mbramë
qiella dhe hyjt e vramë
një ngjarje të trishtueme panë:
Hije… jo! – por një grue
me ftyrë të zbetë edhe me sy
të zez si jeta e saj,
me buzë të vyshkuna në vaj,
me plagë në gjoks e stolisun
me veshje dhe me shpirt të grisun,
me hije grueje,
një kens këso bote,
një fantom uje
vallzonte valle në rrugë të madhe.
Dy hapa para, dy hapa mbrapa
me kambë të zbathun,
me zemër të plasun.
Dy hapa djathtas, dy hapa majtas,
me flokë të thime,
me ndjesi të ngrime.
(Dikur,
kur gjit’ e saj me kreni
shpërtheheshin n’aromë,
kur ish e njomë –
atëherë e dashunojshin shum zotni.
E sot?)
Jeta e saj asht kjo vall’ e çmendun
në rrugat e qytetit tonë,
një jetë e fikun, një jetë e shterun,
shpin i molisun, zemër e therun,
një za vorri, një jehonë
që vallzon natën vonë
nëpër rrugat e qytetit tonë.

Kangët e mjerimit · 1 min de lecture

Recital’ malsorit

O, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,
ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët –
n’agoni të përdihet si vigan i vramë.

Unë – lugat si hij’ e trazueme,
trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit,
endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaqura t’instinktit.

Mali hesht. Edhe pse përditë
mbi lëkurë të tij, në lojë varrimtare,
kërkoj me gjetë një kafshatë ma të mirë…
Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.

Mali hesht – dhe në heshtje qesh.
E unë vuej – dhe në vuejtje vdes.
Po unë, kur? heu! kur kam për t’u qesh?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?

O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh.

Kangët e mjerimit · 1 min de lecture

Lagja e varfun

Krahët e zez të një nate pa fund
e varrosën lagjen pranë,
dritë, jetë, gjallsi – askund,
vetëm errsinë e skam.

U harrue jeta e ditës
ndër shtresat e natës, e pagja
u derdh nga parzm’ e errsinës…
n’andrra përkundet lagja.

Njerzit ndër shtëpia flejnë
me gjoksa të lakurtë e të thatë
e gratë… fëmi po u lejnë
pa ushqim në gji, pa fat,

Pushojnë gjymtyrt e shkallmueme
në punën e ditës së kalueme,
shërohen trutë e helmueme
në gjumin e natës s’adhrueme.

Veç zemrat e njerzve të lanun
me të rektunt prralla rrfejnë:
mbi barrat e jetës së namun
që shpirt dhe korriz thejnë.

Prralla mbi fëmij rrugaça
barkjashtë e me hundë të ndyta,
që dorë shtrijnë me vjedhë, me lypë
e ngihen me fjalë të ndyta.

Prralla mbi varza të fyeme
me faqe e me buzë të thithna.
Prralla mbi djelm, me të thyeme
shprese, në burg me duer të lidhna,

të cilt nesër para gjyqit
për delikt do të përgjegjin, –
vetëm dreqit e hyllit
të gjith fajet tash ua mbshtesin.

Kështu lagj’ e varfun pëshpritë
dhe errsinës hallet tregon.
Një gjel i undshëm, me dritë
të hanës i rrejtun, këndon.

Hesht! or gjel kryengritës,
i lagjës së varfun. – Këtu
nuk zbardh për ty drita e dritës.
I gjikuem je me ngordhë n’u.

Kangët e mjerimit · 1 min de lecture

Blasfemi

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.

Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke…
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…
O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!

Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë – simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të përndueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna.