Melodi e këputun
Melodi e këputun – lot i kjartë nga syni
i një grues së dashun…
andje e përplasun,
xhevahir i tretun,
një andërr e shkelun,
buzë e paputhun
në melodin e këputun.
Nga vaji i heshtun shkunden supat e zhveshun,
verbojnë nga zbardhimi…
e ther, ther hidhnimi
për çastet e rrëshqitun,
për fatin e ikun,
për gëzimin e humbun
në melodin e këputun.
Brrylat ndër gjujë të mpshtetun, ftyrë në shplakë e fundosun:
Qan grueja e pikllueme
me zemër të piskueme
(një kitarë e gjymtun,
za kange i mbytun
në buzë nga dhimb’ e puthun
në melodin e këputun).
Hesht njeriu pran grues që qan e turpnueme…
syni i venitet
në të loti vërvitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues ia lë – dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodin e këputun.
Por kur vjen ndoj tjetër, epshi kapërthehet,
gjaqet turbullohen,
përzihen, përvlohen,
çohen peshë, tërbohen
… e vetëm ndëgjohen
ahtët e molisun
në melodin e grisun.
Kanga e të burgosunit
Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
edhe shof diellin sa një pare serme
— aq larg asht qielli nga e emja gropë.
E kjo gropë e eme e ka emrin burg.
E dini se burgu nuk asht për dëfrim.
Prandaj burg’ i em asht shum i ultë
dhe më bani palmuç dhe më mbyti në trishtim.
Hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj’ e eme,
dy anmiq të betuem, luftojnë dit’ e natë;
por hekr’ i fortë e mund ndërgjegjen teme
dhe në dëshprim përplasem si një qen i ngratë.
E kur nata vjen dhe xhixhillojnë hyjt
gëzohem fort, se hekrat nuk m’i kryqzojnë syt’,
por t’u sjellmen mbrapa shof dritën e smutë
edhe hijën teme tu’ u zgjatë në murt
si një kërcnim ligji, posi një dajak.
Dhe atëher tërbohem dhe urrej pa masë
dritën, hijën, vetën, muret edhe hekrat
edhe e ndjej vetën lua të ndryem në kafas.
Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
dhe zemra e eme ndien po aq të breme
në mes të katër murve si në një gropë.
Kanga e dhimbës krenare
O dhimbë krenare e shpirtit që vuen
dhe shpërthen ndër vargjet e lira…
A deshte, vall, për t’u ngushlluem
tu’ e stolisë botën me xhevahira?
O dhimbë krenare ndër vargjet e lira,
që kumbojnë me tinguj të sinqertë…
Vall, a do të prekish kënd ndër ndijesina?
Apo do vdesish si vdes gjethi në vjeshtë?
O kangë e dejë e dhimbës krenare…
Mos pusho kurr! Por bashkë me vaje,
si dy binjakë këndoni mjerimin –
se koha do t’ju bijë ngushllimin.
Trajtat e mbinjeriut
Një vegim shpirtnuer n’errsin të paskajshme
në botën e mjerimit,
një rreze e diellit
me ngrofë zêmrën e ngrime të kësaj botës së varfshme.
Shpejt zhduken pranverat, po si shkumbë e detit
dhe shembet hareja,
e stinat e vjetra
pa ngjyra pa trajta mjellin fara helmit.
Nana-dhé vejushë dhe me gjitë shitue
na pjell fryte t’egra,
na pjell hitha, ferra
– s’u gjet burr i dêj andjet me i a zgjue.
Kot e kanë sot njerzit, dhe më kot dikojnë djersën…
Sa qesharak mbesin!
sa qesharak vdesin!
Ndër éthe mundimi për me shijue jetën.
Hafrojnë buzët té gota, dojnë një hurmë të vetëm…
por pah! bjé në tokë gota
thehet në njëmijë copa
shuhet drit’ e synit, vdesin njerzit t’ etshëm.
Shpirt i kryqzuem, mârrzi e vulosun
esht kjo jetë njeriu…
(zgërdhiu, zgërdhiu
deri në kupë të qiellës ironí e poshtun!)
Por… po! po! por diç po due me thanun…
ndoshta ka me ardhun…
ndoshta ka me zbardhun…
një agim i pritun, dit’ e parathanun.
N’ardhëmeni të trash’gueme Mbinjeriu vrehet,
ndërgjegjë pa dyshime,
ndërgjegjë pa trillime,
me një grusht graniti që kurr nuk do thehet.
Një sfinks i madhnueshëm Mbinjeriu i ardhshëm,
pa zêmër, pa ndjenja,
syt e tij rrufena –
qarkullojnë rreth rruzllit tue synue vrânshëm.
Kohnat e kalueme në ballë të Mbinjeriut
janë gjurma luftimi
janë shenja hidhnimi
– se jetë e ré lindet me vdekje të njeriut.
Qarkullojnë rreth rruzllit tue synue vrânshëm.
Rima e tretun
Jeta i kaloi si një gotë shampanje.
Nett i çoi nër shtretën mbi gji të grave,
të cilat e deshtën fort e ma fort për pare
sesa për kafshimin e tij të dhambve.
Dhe syparja ra…
Protagonisti vdiq…
Por nuk vdes shampanja!
U lindën milionet
me miliarde dëshira
Kuj t’i lëshohet radha
kur nuk ka batalla?
Por do të ketë Karrnera
dhe do të ketë poetën,
gjithashtu dhe priftën.
Prifti ka për të thanë:
ku do te shkojë
ai që e çoi
jetën si një gotë shampanjë
e ku ai me të thyeme dhambë?
Vjeshta në parakalim
Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona,
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
lëngon shpirt’ i smum ndër krahnore tona,
dridhetjet’ e vyshkun ndër gemba të një plepi.
Ngjyrët e verdha lozin në vallen e fundme –
(dëshirë e marrë e gjethve që një nga një vdesin!)
Gëzimet, andjet tona, dëshirat e fundme
nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.
Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
tundet dhe përgjaket në pasion të viganit:
“Jetë! Jetë unë due!” – e frymë merr prej fellit,
si stuhi shkyn ajrin… por në fund ia nis vajit.
Dhe m’at vaj bashkohet horizont’ i mbytun
në mjegull përpise. Pemët degët e lagun
me vaj i mshtjellin në lutje – por kot! e dinë, të fikun,
se nesër do vdesin… Vall! A ka shpëtim ndokund?!
Mallëngjehet syni, mallëngjehet zemra
n’orën e vorresës, kur heshtin damaret,
e vorri inaltohet nën qiella ma t’epra
me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe zvarret.
Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona.
Rënkoni dëshirat fëmitë e jetës së varfun;
rënkoni në zije, qani mbi kufoma,
që stolisin vjeshtën nëpër gemba të thamun.
Kanga skandaloze
Një murgeshë e zbetë, që bashkë me mkatet e botës
bar dhe mkatet e mia mbi supet e vet të molisun,
mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth hyjnia
— kaloi rrugës së qytetit si ejll i arratisun…
Një murgeshë e zbetë, e ftohtë si rrasa e vorrit,
me sy boj hini si hini i epsheve të djegna të gjallesës,
me buzë të holla të kuqe, dy gajtana
pshertimet që mbysin
ma la der’ vonë kujtimin, kujtimin e ftohtë të kalesës.
Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon…
Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër gishta.
Pa lutjet e saj bota, kushedi, ç’fat do kishte?
Por dhe nga lutjet e saj ende s’i zbardhi drita.
O murgeshë e zbetë, që çon dashni me shejtënt,
që n’ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit
dhe ua zbulon veten… Smirë ua kam shejtënvet;
Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit.
Unë dhe ti, murgesh, dy skaje po të një litari,
të cilin dy tabore ia ngrehin njeni-tjetrit –
lufta asht e ashpër dhe kushedi ku do t’dali,
prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit.
Rezignata
Na shprehun të ngushlluem gjetme në vaj…
Mjerimet i morme në pajë
me jetë… se kjo botë mbarë
ndër gji t’Univerzumit asht një varrë,
ku qenia e dënueme shkrrahet rrshanë
me vullnet të ndrydhun në grusht të një vigani.
— Një sy i stolisun me lot të kulluet së dhimbes së thellë
ndrit nga skaji i mjerimit,
e kaiherë një refleks i një mendimit të hjedhtë
veton rreth rruzullimit
shfrimin me gjetë mnis së vet të mnerëtë…
Por kreu varet, syn’ i trishtuem, mbyllet
e nga qerpiku një lot i kjart’ shtyhet
rrokulliset nga ftyra, bie në tokë e thrrimet,
e ndër thrrimet e vogla të lotit ka një njeri lindet
Secili prej tyne n’udhë të fatit të vet niset
me shpresë në ngadhnim ma të vogël, përshkon të gjitha viset
kah rrugët janë të shtrueme me ferra e rreth të cilave shifen
vorret të shpëlamë me lotë e të marrët që zgërdhihen.
Fragment
Nga mshira e pamshirve
lypsi i vogël gjallonte.
Jetën e rrokullonte
nëpër udha të ndyta
nëpër skajë t’errta,
nëpër pragje të ngurta,
ndër besime të rrejta.
Por një ditë, kur mshira e diellit shteri,
në gjoks ndjeu si e theri
një dhimbë e re – që mnia
e përfton ndër flia
të skamit.
Dhe – dje lyps i vogël,
por sot diçka tjetër –
si ahmarrës i vjetër,
një fjalë të randë mendonte
botës t’ia diktonte…
Fytin e gërrdhishte
fjalën për me nxjerrun
që mnia e kish ndezun
e që në gjuhë vdiste…
Por i hutuem, mbet nejun
në kryqzimin e udhve.
Rrotat e autve
shpejt mbi te kaluen
dhe e… qetësuen
Shpirt’ i ri
Shqyponjë me krah të thyem! Vall shpirt i plagosun!
Shpirt! aht i kulluet! dhimbë gjoksi të brengosun!
Vall shpirt i therun… fli e një lterit të ri,
vaj’ i një skamnori, të vllaut që heq zi;
shqiponjë me krah të thyem! Vall shpirt i molisun!
Qëndro! Qëndro krenarë! mu si një zot i stolisun
me diell t’artë në ball, me qiella t’azurta në sy…
Qëndro! si vaj skamnori – ende ka frymë në ty –
O shpirt! Pëllumb i gjorë! Lajm i idealit të ri…
Çgule shëgjeten nga vetja, e rishtas, me dhimbsuni
fluturo mbi valët e jetës e fjalë ngushllimi pëshprit,
shëro plagat skamnorve e shpresën në jetë ua rrit.
Por hesht, shpirt i goditun, felltë hesht në pikllim,
i dhimbset vetja shpirtit… o vall se ç’idhnim!
Shikon botën skamnore, plagën shikon me sy
e lotë xhevahiri derdhë… o vall u fik një hy!