SommaireVargjet e lira
Kangët e fundit · 1 min de lecture

Një natë pa gjumë

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen,
kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka,
urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don.

Pak dritë! O burrë! O hero! ngado që të jesh!…
Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!
Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh,
se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë.

Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun!
Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate
ta shkruejshe kushtrimin… Ehu Burrë i tretun
Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate.

Por pishë nuk kam e vetëm janë burrat, shokët…
Dergjem n’errsin pa gjumë dhe pa dritë…
Askush s’më ndigjon, çirren kot më kot…
Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt.

Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita
— Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala e jote?
Kur ti këndon thonë se asht afër drita…
Por un s’besoj sonte në fjalët e ksaj bote.

Hiqmuni qafe, mendimet!
O jastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin,
më fal atë që due: gjumin dhe andm’min
e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin.

Kangët e fundit · 1 min de lecture

Vuejtja

Ka do dit
që po shof fare mirë
se si nga vuejtja syt’ po më madhohen,
nepër ball dhe ftyrë rrudhat po më shtohen
e si buzqeshja m’asht e hidhun…
… dhe po ndij
se si mëngjeset e mija
nuk janë ma mëngjese hovi e pune,
as ndërtimi, por të shtymt dita më ditë
e një jete që s’durohet.

Dalëngadalë po shof
si jeta një nga një
secilin ndjesi
me tradhti
po ma vulos
dhe s’po më mbetë asgja
që me u nda
si shej gëzimi.

Përpara
nuk e dishe, o jetë,
se kaq i tmerrtë
asht grushti i yt
që mbyt
pa mëshirë.

Por kot
në pasqyrë po shof
se si nga vuejtja syt po më madhohen
nëpër ball dhe në ftyrë rrudhat po më shtohen,
dhe shpejt do të bahem
flamur i vjetruem
i rreckuem
ndër luftat e jetës.

Kangët e fundit · 1 min de lecture

Frymzim i pafat

Frymzim’i em i pafat,
që vjen e më djeg mu në gji,
për ke po më flet? për ke të shkruej?
përse po më ban që kaq të vuej?
pse vjen e më djeg mu në gji,
frymzim’i em i pafat?

Për të gjorët? për ata që nuk kanë dritë?
O frymzim’i em i ngratë,
mjaft me plagë qi s’kan’ shërim,
leni të dergjen në mjerim.
Njerzit s’duen ma trishtim,
botës s’ja kande atë kangë të thatë,
thot se mjell një farë të idhtë.

Far’ e idhtë… far’ e idhtë…
– O njerz të bimë nga far’ e ambël!
Frigë të mos keni, pse një kangë
mund të ju theri në ndjesi,

të ju kujtojë zemrën në gji
në ndërgjegje dhe një dangë…
por ju të ju bajë edhe ma zi.

Frymzim’i em pafat!
Shporru ktej! Nuk të due!
S’i due hovet tueja të nalta,
as fluturimet… Nëpër balta…
të ditve tona të shklas un due
rrokë me njerëzit që rrok nata.

Kangët e fundit · 1 min de lecture

Kanga që s’kuptohet

Melodisë kombëtare

U vodh kanga nga zemra e kombit,
shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit,
këndoi ujen e së bijës, këndoi ujen e të birit,
qau jetën e thyeme nga rrufe e fatit,
i mbyti në lotë shpirtënt që ndjejnë dhimbë për të ngratit.

Kangë a vaj? Çë je? Thuejma, zemër kombi!
Zemër që ke vuejtun, që ende po vuen…
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatet që ditët t’i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t’i gozhduen?

Oh – jo! Kanga jote asht shprehje e dhimbsun
e një jetese që dergjet e dergjet
dhe tu’ e dergjë ndoshta do hesht e molisun…

Kangët e fundit · 1 min de lecture

Vetmia

Më plak mërzitja
që vetmia më sjell;
përbuzja, urrejtja
të gjith sendet m’i mbështjell
që kam shumë anmiq
të liq
në këto sende pa shpirt,
Nuk flasin.
As sy s’kanë.
Po mue më bahet
se aty janë
vetëm që të më plasin
zemrën.
Së paku, të më shajnë:
I mallkuem!
Së paku, të më tallin:
I uruem!
Së paku, të më këndojnë:
— I yni zot!
Ose të më thonë:
— Jeton kot!
Të flasin, të flasin se fjalë due
në kët vetmi me ndigjue.
Ose të më tregojnë historinë
e tyne, autobiografinë:
ndosht’ aty do gjej gjasim
me jetën teme pa tingllim
që në vetmi po e kaloj –
dhe s’po dij a rroj a s’rroj.
Sendet heshtin. – Sa të pamëshirë!
Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,
pse gojë s’kanë
dhe nuk flasin,
aty janë
vetëm të më plasin
zemrën teme që po vuen
dhe në mërzi vetveten truen.

Kangët e fundit · 1 min de lecture

Nën flamujt e melankolisë

Në vendin tonë
kudo valojnë
flamujt e një melankolije
të trishtueshme…
… dhe askush s’mund të thotë
se këtu rron
një popull që ndërton
diçka të re.
Aty këtu nën hijet
e flamujvet
mund të shifet
një mund, një përpjekje
e madhe përmbi vdekje
për të pjellë diçka të madhe,
për të qitë në dritë një xhind!
Por, (o ironi)
nga ajo përpjekje lind
vetëm një mi.
Dhe kështu kjo komedi
na plasë dellin e gazit,
nsa prej marazit
pelcasim.
Në prakun e çdo banese
ku ka ndoj shenj jetese
valon nga nji flamur
melankolije të trishtueshme.

Kangët e fundit · 1 min de lecture

Prap dielli lindë

Prapë dielli lindë…
dhe rrezet e tij shkrepën mbi ballnat tanë.

Kangët e fundit · 1 min de lecture

Ik moj flutur

Ik! Ik, moj flutur, se do të digjesh!
Se ke me ra në gyp të llambës dhe me flakët e saj ke me u djegë.
Por flutura s’dëgjon, sillet, sillet e sillet.
Dhe me atë të sjellun shkrepet në gyp, largohet, shkrepet,
rrotullohet rreth llambës dhjetë herë për m’u shkrepë…

Kangët e fundit · 1 min de lecture

I fundmi Skandërbe

Ku janë orat dhe nuset? Shtojzovallet e zanat ku janë? S’po flitet ma
për vallet e tyne? As për sytë e tyne që të shitojnë a të bajnë fatbardhë, s’po flitet ma…

Kangët e fundit · 1 min de lecture

Kanga e fundit

Përditë shoh qartë e ma qartë
dhe vuej thellë e ma thellë.