Kanga e Përndimit
Kangë Përndimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete…
Kanga e tij një fé tjetër, me tempuj të tjerë, me meshë solemne,
ku prej mëngjezit deri në mbramje shkrihen ndjesitë, trutë njerzore
n’apotheozën e hekurt; shpirtënt përshkohen në tymore,
të cilat në fishkllim i përqeshen zotit të vjetër edhe qiellit
e me ré të ndyt’ tymi të dendun ndriçimin ja vrasin diellit.
Fe tjetër, fe e çmendun e Përndimit të mrekullueshëm…
I egzaltuem shklet njeriu në delirium të pakuptueshëm.
Dëgjon zanin q’i thotë feja. Plagos qiellën, e shpon tokën,
i shkynë horizontet e bardhë, xhveshë natyrën – ja heq kotllën.
Kult’ i tij – kult i xhveshun! Nuk ja bren ma trutë enigmi –
e varros, mbi marr ja ve një shej përbuzje o nderimi.
Kangë Përndimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete…
Kanga e tij shpres’e bukur, me flatra të një tjetër jete;
në të cilën dielli do ndrrojë udhën: ka për t’u lindë nga Përndimi
– por deh! nga lumnia tash humb kokën rruzullimi.
Me një “tango” qejfi tash ja ngatrron fijet zotit të vjetër,
ka me ja skandalizue të birtë besnikë në planetë të tjetër.
Kangë Përndimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete…
Le të dëgjojmë kangën që mshtillet në shllung’ avulli në pika djerse.
Shpirtënt shtegtarë
Mramë një erë e ftohtë acar fryni nga ana e maleve,
i shkundi shpirtënt tonë – e bashkë me gjethë të kësaj vjeshte
i muer andej kah dielli hijën si të përgjaktë ua lëshon zallevet
— në Përndim, ku tret e shkimet drita në pamundësinë e vet.
Enden shpirtënt tonë nepër vise të Përndimit të mrekullueshëm,
bajnë të fala dhe met’hane vendeve të shuguruem
e të përtrimë ndër fluide të hekurit të zjarmit të adhurueshëm
e me një credo gëzojnë qiellën me çagjë e të tymuem…
në cilen, diku në skaj merimanga fatin trillon
vetes dhe njerzis poshtë, damaret i rrahin
(si të rahunt trompete në vorresë) – ndërsa tue qa, kumbon
e thret kumbon’ e fabrikës, i njëmijti fishkllim si një fsham shkynë ajrin.
Shpirtënt tonë me një dashni tragjike ato vise i duejnë,
n’etér të kulluet u bajnë fli ndjenjat e veta ma të holla.
E në nesërmen fatale kundrojmë një horizont me njolla…
… shtegtarë të mërguem, shpirtënt tonë n’origjinë po kthejnë.