Motivet
A ndër kujtime të shkimuna asht motiv’ i një vjershe?
ndër kujtime të bardha të fëminis virgjine,
kur zemërplotë me mbarë botën dëfreheshe
në dëshirë, shpresa e t’ambla andrrime?
A ndër kujtime t’afërme të djaleris vullnuese
asht motiv’ i zjarrtë i një vjershe dashunie,
me rimë tingllueme e shprehje flakruese
plot lumni jetese dhe gëzim brohorie?
Ndër ftyra të zbeta të grave të mjerueme,
që enden dhe nëpër pragje, tu’ u shitun lypin,
ndër ftyra u shkarravitet një vjersh’ e përmallueme
me vaj, me ankime që der në qiell hypin;
nëpër skaje t’errta, ku shungllon zgërdhia
me neveri, në të cilën tregohet i marri,
të cilin ndjek e shoqja, i biri dhe e bija
— në revolt aty krijohet moto-përmendari,
nëpër skaje të mshefta ku droja ka mrizin
e qetsia shtrohet tue përpimun jetën –
aty bashkë me tradhti motivi ze fillin
e pena e poetit me të zhvillon vjershen.
Gjatë jetesës së njeriut motivet të gjitha ngjyrash
shkojnë e vijnë pa pramun. Po erdh motiv’ i mbramë,
i tmerrte në fantazi tonë – atbotë një të zbem ftyrash,
një hij’ e keqe – dhe kumbona dam – daaam.
Pesha e fatit
Na shtypi fati e na bani krymba
ne kensit dykambësh që zbuluem hy’n
edhe aq ma tepër e ngatrruem ny’n…
shpirtënt tonë skyftera deshen të bahen pëllumba.
(Rrini, mor skyftera! Pse të baheni pëllumba?
Mizat e parajsit në jetën mbrapa vorrit
kanë me iu mërzitun – dhe mandej prej zorit
do të pelcisni… Prandej: pse të baheni pëllumba).
Fat’ i ynë mizor – shpatë e Damokleut.
Si vall? Të gjitha përpjekjet na dështuen në terr?
E jeta na bahet ma zi se skëterrë.
Të vërtetat, as rrenat, s’i ndihmuen Dheut.
Të vërtetat dhe rrenat? – Xhevahirët e çmuem.
Me ta kur të duesh e shet dhe e blen botën.
Por mos mendo se me ta do t’ja ndreqish rrotën…
Jo se i pëlqen jeta çale me shkuem.
Me çalue n’anë të djathtë, me çalue n’anë të majtë…
Si paljaço i gjorë që kah t’ja majë s’di,
mbassi kambën e theu n’akrobaci –
jet’ e tij asht helm pa asnjë pikë mjaltë.